Partia Vetëvendosje ngul këmbë se nuk ka kryer shkelje kushtetuese në rastin e zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb. Gjykata Kushtetuese, sipas tyre, ka shkelur Kushtetutën. Dhe jo vetëm që e ka shkelur, por edhe ka “shpikur normë”. Kjo parti, me juristët “eminentë” Vigan Qorollin dhe Blerim Sallahun, ka reaguar në Facebook me një shkrim me titull “Inkoherencë e thellë dhe abus de droit” (abuzim me të drejtën) dhe si “krijim norme”. Kjo sepse, sipas tyre, kriteri i shtuar po krijonte “veto” për Listën Serbe. Megjithatë, kundërshtimet, janë të rrëzueshmne në vetë Aktgjykimin e botuar të plotë nga Kushtetuesja, të cilat bien nga vetë baza ligjore mbi të cilën mbështetet Aktgjykimi: kriteri i “shumicës së deputetëve të komunitetit serb”, ndërkohë që teksti i Rregullores së Kuvendit (“kandidati… propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”), Rregullore e kjo cila është shkruar nga vetë Vetëvendosja. Kushtetuta e njeh Rregulloren si akt detyrues për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit. Gjithashtu, pretendimi se “bllokadat” arsyetonin anashkalimin bie, sepse Gjykata e kufizon shortin vetëm në rrethana përjashtimore kur shumica e deputetëve të komunitetit nuk propozojnë fare kandidatë, gjë që, sipas gjetjes së saj, nuk ka ndodhur, dhe as nuk ka pasur “refuzim” për të shfrytëzuar të drejtën e propozimit. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25 e shpalli të papajtueshëm me Kushtetutën dhe Rregulloren vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga komuniteti serb, duke e konsideruar procedurën e devijuar si një mundësi që i lejon shumicës parlamentare të imponojë përfaqësuesit e një komuniteti. Gjykata gjeti se vendimi “nuk është në pajtueshmëri” me Nenin 67 dhe Nenin 12 të Rregullores. Pas nëntë kandidaturave të propozuara nga shumica e deputetëve serbë, Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit, deklaroi se “propozimet janë shterur” dhe se asnjëri “pas tri tentativave” nuk mori vota të mjaftueshme. Ajo më pas e trajtoi situatën si refuzim dhe iu referua shortit; madje tha se Rashiqi “do t’i nënshtrohet” shortit, por menjëherë shtoi se “pasi kemi vetëm një kandidat… do të procedojmë me votim”. Rezultati ishte 71 vota “për”. Për Gjykatën, ky kalim nga dështimi i votimit te “shorti” dhe te votimi i një kandidati pa propozim të komunitetit, përmbysi logjikën konsociacionale të Kushtetutës. Ajo e përcakton të drejtën e propozimit si një garanci substanciale: “komponente esenciale e balancës kushtetuese… në veçanti… përfaqësimi i komuniteteve”. Dhe këtë e lidh jo vetëm me Nenin 67, por edhe me statusin kushtetues të Rregullores: Neni 76 e konsideron Rregulloren (të miratuar me 2/3) si “akt me fuqi ligjore detyruese” për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit. Kjo është pika ku bie argumenti kryesor i Vetëvendosjes se Gjykata “po shpikë kritere” që “Kushtetuta nuk i njeh”. Vetë Rregullorja thotë shprehimisht: “Propozimet… bëhen me shkrim” dhe “kandidati… propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”. Pra, “shumica e deputetëve serbë” nuk është risi e Gjykatës, por teksti procedural i detyrueshëm që Kushtetuta e ngre në nivel detyrues për Kuvendin. Gjykata sqaron se për ta aktivizuar shortin, duhen “rrethana përjashtimore” kur shumica e deputetëve “nuk do të propozonte kandidatë”. Në këtë rast, ajo gjen se zgjedhja e Rashiqit “nuk erdhi si propozim” nga shumica e deputetëve serbë dhe “nuk ka pasur asnjë refuzim” nga ana e tyre për të shfrytëzuar këtë të drejtë. Më tej, Gjykata paralajmëron se përdorimi i shortit në mënyrë që shumica “të përcaktojë se kush do të jetë përfaqësuesi… pa propozimin” e komunitetit, “do të përbënte një anashkalim të garancive kushtetuese”. Kjo gjithashtu përmbys narrativën e “funksionalitetit” që LVV e paraqet si arsyetim ligjor. Reagimi i Vetëvendosjes e sulmon aktgjykimin si “Inkoherencë e thellë dhe abus de droit”. VV pretendon se Gjykata ka ndryshuar jurisprudencën “brenda katër muajsh” pa ndryshim normativ/faktik. Gjithashtu, LVV thotë: “Çdo kriter shtesë është krijim i normës (norme creation), jo interpretim”, dhe se vendimi krijon “të drejtë vetoje… për Listën Serbe”. Së pari, lidhur me “inkoherencën” që pretendon VV: Gjykata, në tekstin e saj, pranon se ekzistojnë dy “mekanizma zhbllokues” dhe se kufizimi “vetëm deri në 3 (tri) herë” vlen edhe për nënkryetarët. Ajo nuk e përmbys rregullin e tri votave; përkundrazi, e rithekson atë. Konflikti real nuk ishte “a lejohen tri votime?”, por “a mund të kalohet në short kur kishte propozime?”. Dhe Gjykata u përgjigj se jo, sepse shorti vlen vetëm “në rast të mos-propozimit”. Së dyti, “vetoja e Listës Serbe”: Vendimi nuk i jep veto një partie të caktuar, por i mbetet kompetencës procedurale të një grupi, përkatësisht “shumicës së deputetëve” që mbajnë vendet e garantuara të komunitetit serb për të propozuar kandidatë. Edhe pas propozimit, zgjedhja bëhet “me shumicën e votave të të gjithë deputetëve”. Kjo do të thotë: komuniteti nuk e “imponon” nënkryetarin; ai vetëm e propozon atë. Shumica parlamentare mban kontrollin përmes votës, por nuk mund ta marrë propozimin në dorë për vete, sepse atëherë, siç paralajmëron Gjykata, shumica do të përcaktonte përfaqësuesin “pa propozimin e komunitetit”. Në fund, Gjykata zbut efektin praktik duke u mbështetur në sigurinë juridike: aktgjykimi “nuk ka efekt prapaveprues” dhe masa e përkohshme u refuzua. Por mesazhi normativ është i fortë: “funksionaliteti” nuk mund të arrihet duke zbrazur nga përmbajtja garancinë e propozimit të komunitetit, sepse kjo e kthen konsociacionin në “mekanizëm simbolik” dhe hap derën për imponimin e shumicës mbi pakicën. Related PostsKushtetuesja ende pa vendim për shpërndarjen e... Gjykata Kushtetuese shqyrton kërkesat për dekretin e presidentes Osmani Gjykata Kushtetuese...Read moreAktgjykimi i Kushtetueses: Nënkryetari serb i Kuvendit... Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur...Read moreLVV reagon ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese:... Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të...Read more Post navigation LVV reagon ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese: ‘Abus de droit’ dhe shkelje e parimit të sigurisë juridike Nis numërimi mbrapsht, çka mund të ndodhë me pozitën e presidentit?