Pas 27 vitesh pritje dhe ankth për fatin e më të dashurve të tyre, tri familje nga Klina morën përgjigjen që e kishin pritur prej dekadash. Janë rivarrosur tre martirë, mbetjet mortore të të cilëve u identifikuan ditë më parë. Masar Dushi dhe Bali Gashi ishin vetëm 23 vjeç kur u panë për herë të fundit, ndërsa Fadil Elezi ishte 37 vjeç. Mbetjet e tyre mortore u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Klinë, në një ceremoni ku mori pjesë një numër i madh qytetarësh. Florida Gashi, e cila në kohën e luftës ishte vetëm 9 vjeçe, i dha sot lamtumirën e fundit axhës së saj, vite pasi kishte rivarrosur edhe babanë. Ajo kujton momentin e fundit kur i pa gjallë. “Mbaj mend që e mbaja babanë për dore kur forcat paramilitare serbe filluan të na ndanin nga kolona. Në atë moment më shtynë me forcë dhe aty ishte hera e fundit që i pashë gjallë. Fillova të thërrisja ‘Agja, Agja’, sepse isha shumë e lidhur me të”, rrëfeu ajo. Nga axha i saj i ka mbetur një ditar, në të cilin gjendet edhe një pyetje prekëse: “Lufta do të përfundojë në vitin 2000, por a do të jem unë gjallë?”. “Ju them se do të jetoni gjithmonë në zemrat tona dhe do të përmendeni nga gjeneratat që sot kanë fatin të jetojnë në paqe. Nuk është e lehtë të përballemi pas 27 vitesh me këtë dhimbje që as koha nuk e ka zbehur. Megjithatë, tani kemi një lehtësim, sepse dimë ku të vendosim lule dhe ku t’i vizitojmë”, tha ajo. Ceremonia e rivarrimit u shoqërua me homazhe nga qytetarë të shumtë. Arkivolet, të mbështjella me flamurin kombëtar, u nderuan nga pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, theksoi se ky rivarrim nuk e shuan dhimbjen, por u jep familjeve një vend për të nderuar të dashurit e tyre, duke bërë thirrje për intensifikim të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Nga niveli qendror, Xhemile Morina deklaroi se institucionet do të vazhdojnë kërkimin e personave të zhdukur deri në zbardhjen e plotë të fatit të tyre, duke e cilësuar këtë si obligim moral dhe shtetëror. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 1.600 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Related PostsQytetarja emocionohet në Mitrovicë, përqafon Vjosa Osmanin... Momente emocionale në Mitrovicë gjatë takimit me Vjosa Osmanin Presidentja e...Read moreOsmani në Mitrovicë: Nuk po bëj fushatë,... Osmani: Takimet janë për falënderim, jo fushatë Presidentja e Kosovës, Vjosa...Read moreVrasje në Klinë: Arrestohet i dyshuari pas... Një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të...Read more Post navigation Rritet çmimi i arit dhe naftës Katër djem të vrarë në oborr, dëshmia rrëqethëse e babait nga Drenica