Në katër komunat në veri të Kosovës asnjë rast i vrasjes dhe grabitjes nuk është regjistruar gjatë vitit 2025. Kështu thuhet në raportin e punës për vitin 2025 të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës. Sipas raportit, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë Polici–qytetar, gjatë vitit të kaluar janë arritur rezultate të rëndësishme në parandalimin dhe luftimin e veprave penale. “Raportin në detaje e prezantoi Shefi i Njësisë se Planifikimit dhe Vlerësimit Operacional Toger Erduan Baliqi, i cili theksoi se gjatë vitit 2025 në rajonin e veriut nuk është shënuar asnjë rast vrasje, po ashtu nuk janë shënuar raste grabitjesh” – thuhet në njoftim. Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e numrit të përgjithshëm të veprave penale për 11.8 për qind në krahasim me vitin 2024. “Rënie e ndjeshme është shënuar edhe në disa kategori kryesore të veprave penale, përfshirë: vjedhjet e rënda -26.92 për qind, sulm -31.91 për qind, kanosje -32.00 për qind, nxitje e përçarjes dhe mosdurimit -71.43 për qind, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm -61.90 për qind, asgjësim apo dëmtim i pasurisë -39.46 dhe zjarrvënie -84.21”- thuhet në komunikatë. Rezultate të theksuara, sipas Policisë, janë arritur në konfiskimin e armëve dhe municionit. Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë konfiskuar 87 armë zjarri, 4,200 fishekë, 21 granata dore dhe 11 raketahedhës. Zyrtarët e Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri kanë bërë të ditur se zbulueshmëria e veprave penale gjatë vitit 2025 ka qenë 85.90 për qind. Ndërsa sa u përket aksidenteve me fatalitet dhe aksidenteve në përgjithësi është shënuar ulje e rasteve (-11.8%), si rezultat i masave të ndërmarra preventive. Përveç rezultateve konkrete në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, Policia thot se në veri ka ndërmarrë edhe një sërë aktivitetesh parandaluese, duke realizuar projekte dhe fushata me qëllim rritjen e raportimit dhe bashkëpunimit me Policinë, me synimin që Policia të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. “Në përmbyllje të prezantimit, për profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e treguar, disa zyrtarëve policorë iu ndanë mirënjohje. Gjithashtu, mirënjohje iu ndanë edhe përfaqësuesve të institucioneve bashkëpunuese për bashkëpunimin korrekt dhe mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e detyrave të përbashkëta”- theksohet në komunikatë. Related PostsAksioni në ARBK, MINT: Po hetohet një... Njësitë për krime ekonomike kanë zhvilluar sot një aksion në...Read moreEkstradohen në Kosovë një burrë dhe një... Ekstradohen dy të dyshuar me urdhër-arrest ndërkombëtar Policia e Kosovës ka...Read moreNjë milion euro në automjet, tre persona... Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), tre persona...Read more Post navigation Një milion euro në automjet, tre persona ndalohen për 48 orë – dyshohen për “Shpëlarje parash” Kosova dhe Ukraina: Kur historia përsërit pamjet e saj