Prishtina vendos kamera kineze sigurie, ngrihen shqetësime për rrezik nga hakerimi

Raportimet për cenueshmëri të sistemeve të mbikëqyrjes ngrenë pikëpyetje për sigurinë

Vendosja e kamerave të sigurisë në Prishtina ka nxitur debat lidhur me sigurinë kibernetike, pasi shumica e pajisjeve të instaluara janë të prodhimit kinez.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, sisteme të ngjashme të përdorura në Iran janë komprometuar, duke ngritur shqetësime për mundësinë e qasjes së paautorizuar në rrjete të mbikëqyrjes.

Autoritetet në Kinë kanë nisur rishikimin dhe në disa raste largimin e kamerave të sigurisë, ndërsa vendi ka një rrjet shumë të gjerë me qindra miliona pajisje monitorimi të instaluara.

Ndërkohë, në Prishtinë, institucionet kanë vendosur kamera të markave të njohura kineze si Hikvision dhe Dahua, të cilat përdoren gjerësisht për sisteme të mbikëqyrjes urbane.

Sipas të dhënave nga Komuna e Prishtinës dhe Policia e Kosovës, aktualisht janë të instaluara rreth 165 kamera sigurie në 54 lokacione të ndryshme në qytet.

Këto përfshijnë sisteme të avancuara si kamera për njohjen automatike të targave (ANPR), kamera multisensor për mbikëqyrje të zonave dhe kamera rrotulluese (PTZ) për monitorim të zgjeruar.

Plani i ardhshëm i projektit parasheh zgjerimin e rrjetit me rreth 600 kamera të reja në afro 200 lokacione, duke e çuar numrin total në rreth 750 kamera në gjithë qytetin.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se përdorimi i teknologjive të tilla mund të paraqesë rrezik nëse nuk garantohet mbrojtja e duhur kibernetike.

Rreziqet potenciale përfshijnë mundësinë e hakerimit, qasjen e paautorizuar në të dhëna dhe përdorimin e sistemeve nga aktorë të jashtëm apo grupe kriminale.

Megjithatë, institucionet nuk kanë dhënë deri më tani një reagim zyrtar lidhur me këto shqetësime, ndërsa projekti për zgjerimin e mbikëqyrjes në kryeqytet pritet të vazhdojë.

“Përdorimi i teknologjisë së mbikëqyrjes kërkon standarde të larta sigurie për të parandaluar çdo formë abuzimi apo ndërhyrjeje të jashtme.”

/Zëri i Drenices/

Related Posts

Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës, qytetarët paralajmërojnë...
Qytetarët e frustruar për shkak të paralajmërimit të ngritjes së...
Read more
Punëtorët e “Trafikut Urban” paralajmërojnë grevë
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar...
Read more
Kuvendi i Prishtinës miraton buxhetin për vitin...
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin fiskal...
Read more

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *