Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rëndësinë kyçe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Ai nënvizon se bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve mbetet i qëndrueshëm dhe aktiv në të gjitha drejtimet. Duke folur në emisionin “Balkan Talks”, Maqedonci vlerësoi se, pavarësisht dallimeve aktuale mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian sa i përket qasjeve gjeostrategjike, partneriteti transatlantik do të vazhdojë të luajë rol vendimtar në ruajtjen e stabilitetit në rajon. “Ne me BE-në në kemi bashkëpunuar. Besoj se SHBA dhe BE patjetër që në një periudhë do të zgjidhin paqartësitë që lidhen me interesat gjeo-strategjike, më saktësisht me qasjen e re të SHBA-ve për më pak prezencë në Europë. Vlerësoj se pavarësisht se ka një çarje në raportet SHBA-Evropë për se si e shohin të ardhmen, do gjendet një rrugë për të përafruar interesat duke pasur parasysh faktin se SHBA dhe BE janë ato zona që përfaqësojnë demokracinë, të drejtat e njeriut”, tha ai. Maqedonci shtoi se marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve kanë prodhuar rezultate konkrete. Ministri thekson se bashkëpunimi me SHBA-në përfshin trajnimin e stafit, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe blerje strategjike të pajisjeve ushtarake. “Nga ana tjetër, të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me SHBA, janë dokumente që kanë prodhuar veprime. SHBA po mbesin prezent brenda ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke mbështetur në të gjitha drejtimet. Janë faktori kyç në zhvillimin tonë të mbrojtjes. Në kuadër të marrëveshjeve, kemi trajnimin e stafit tonë, bashkëpunimin në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, ku kemi punuar me Ambasadën Amerikane në Kosovë për të përafruar prodhuesit potencial në Kosovë. Pikat që kemi adresuar në marrëveshje janë edhe blerjet strategjike. Në dhjetor kemi nënshkruar një kontratë për blerjen e një sistemi modern të atilerisë, që për herë të parë shitet jashtë SHBA-ve, pikërisht në Kosovë”, tha Maqedonci. /Zëri i Drenices/ Post navigation Hoxha: Inteligjenca ushtarake serbe e përfshirë në sulmin në Ibër-Lepenc WiFi në ajër – këto janë të gjitha linjat ajrore evropiane që ofrojnë Starlink